Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, një projekt madhështor i realizuar falë mbështetjes së Turqisë dhe qeverisë shqiptare. Ceremonia e inaugurimit do të mbahet të enjten, më 10 tetor 2024, me pjesëmarrjen e Presidentit Erdoğan dhe Kryeministrit Rama. Xhamia do të shërbejë si një kompleks multifunksional për qytetarët dhe turistët, duke përmbushur një ëndërr të kahershme të komunitetit mysliman shqiptar.
Njoftimi i plotë i KMSH:
Të dashur motra dhe vëllezër,
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.
Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu, Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do të ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative dhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama, i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.
Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në ceremoninë e inaugurimit, ku Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë.
Ne falenderojmë popullin turk dhe Presidentin Erdoğan, si edhe Kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Ndërveprimi i shkëlqyer i qeverisë shqiptare dhe asaj turke ka qenë vendimtar në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ndërtuan Xhaminë me mendjet dhe duart e tyre të arta.
Xhamia nuk do të jetë thjesht një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve dhe turistëve.
Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!
Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, më 10 tetor 2024.