Kryetari i KNFSH-së Mons. Gjergj Meta, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, pasi i është drejtuar me një shkresë urimi Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, i është drejtuar me një shkresë dhe mbarë besimtarëve myslimanë shqiptarë me një urim të veçantë.
Në shkresë thuhet:
Me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit dëshiroj t’ju uroj të gjithë vëllezërve e motrave myslimanë të Shqipërisë një kohë sa më të frytshme shpirtërore.
Në librin e Kuranit thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (Ajeti 183 i Sures Bekare). Kjo fjali tregon qartë se praktika e agjërimit përbashkon besimet abrahamike, me gjithë specifikat e veta që kanë të bëjnë me kohën, momentin apo perspektivat e ndryshme teologjike.
Fakti që këtë vit, periudha e agjërimit për myslimanët përkon deri diku edhe me kohën e Kreshmes për ne të krishterët, mund të jetë një rast i mëtejshëm i një mirëkuptmi dhe solidariteti shpirtëror midis besimtarëve dhe bashkësive tona fetare në Shqipëri.
Agjërimi nuk është një qëllim në vetvete, as një praktikë për të mbajtur trupin në formë, por nëpërmjet një sakrifice të trupit, duke hequr dorë nga ushqimi, kërkohet një bashkim më i thellë më Zotin, një rikthim te esencialja e jetës dhe një hapje e zemrës ndaj të tjerëve. Në këtë mënyrë besimtarët relativizojnë, por pa përçmuar, atë çka i përket sferë materiale të jetës, për të depërtuar gjithnjë e më thellë në kuptimin thelbësor të saj. Afrimi i njeriut me Zotin dhe solidaritetiti me njëri-tjetrin e bën shoqërinë dhe njerëzimin me të mirë duke e larguar nga çdo pretendim vetëmjaftueshmërie dhe egoizmi.
Uroj një agjërim të lehtë e të pranuar nga Zoti për çdo besimtar mysliman që në këtë muaj do të agjërojë. Të vazhdojmë me këmbëngulje rrugëtimin tonë të dialogut e të bashkëjetesës ndërfetare në vend, si një detyrë që na e kërkon Zoti dhe koha në të cilën jetojmë.
Duke ju uruar çdo të mirë ju përshëndes, përzemërsisht,
Kryetari
+Dom Gjergj Meta