Në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër” u zhvillua ceremonia e diplomimit të brezit të katërt të studentëve të Institutit të Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”, një program njëvjeçar i dedikuar formimit të përgjithshëm fetar.
Ky edicion diplomoi me sukses 32 studentë, meshkuj dhe femra, të cilët përfunduan trajnimet në lëndë themelore të dijes islame si: Kuran, Hadith, Tefsir, Fikh, Akaid dhe Histori Islame.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin figura të rëndësishme të jetës fetare në vend, mes tyre Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Nënkryetari dhe përgjegjësi i institutit, Taulant Bica, si dhe Dr. Xhemal Saferti, përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në “Bedër”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu vlerësoi rëndësinë e këtij instituti në përgatitjen e kuadrove të rinj që do të kontribuojnë në komunitetet lokale dhe e përmbylli me urimin për rrugëtimin e mëtejshëm të studentëve të diplomuar.
Në përmbyllje, studentët u pajisën me certifikatat përkatëse, të cilat iu dorëzuan nga drejtuesit e pranishëm.