Dy nxënës të Medresesë së Tiranës dhe asaj të Elbasanit janë vlerësuar me Medaljen e Artë, nderimi më i lartë që u jepet maturantëve me rezultate të shkëlqyera në nivel kombëtar.
Ermelinda Jorganxhiu nga Medreseja e Tiranës dhe Gledion Bajrami nga Medreseja e Elbasanit janë shpallur fitues të medaljes, pas një performance të shkëlqyer gjatë gjithë ciklit të gjimnazit dhe rezultateve të larta në provimet e Maturës Shtetërore.
Në njoftimin zyrtar të bërë publik nga vetë institucionet arsimore që ata përfaqësojnë, theksohet se ky vlerësim është fryt i përkushtimit, seriozitetit dhe vlerave të qëndrueshme që kanë treguar gjatë gjithë rrugëtimit të tyre shkollor.
“Ata janë një shembull frymëzues i asaj që përfaqësojnë Medresetë tona: dije, moral dhe cilësi,” thuhet në postimin e Medresesë së Tiranës.
Medalja e Artë jepet nga Ministria e Arsimit për nxënësit më të dalluar në të gjithë vendin, duke vlerësuar jo vetëm rezultatet përfundimtare në Maturën Shtetërore, por edhe ecurinë gjatë tre viteve të arsimit të mesëm.