Seuli hap ekspozitën e parë afatgjatë kushtuar artit islam në bashkëpunim me Muzeun e Artit Islam në Doha
Edhe pse Islami mbetet ende pak i njohur për shumë koreanë, prania e kulturës islame në Korenë e Jugut po rritet ndjeshëm. Nga rreth 2 milionë shtetas të huaj që jetojnë në vend, rreth 300 mijë përllogariten të jenë muslimanë.
Në këtë kontekst të ri kulturor, Muzeu Kombëtar i Koresë (NMK) ka hapur në seksionin “World Art” ekspozitën e parë afatgjatë të dedikuar artit islam. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur nga kjo e shtunë deri më 11 tetor 2026, titullohet “Islamic Art: A Journey of Splendor”.

83 vepra nga Muzeu i Artit Islam në Doha
Të gjitha 83 veprat në ekspozitë vijnë nga koleksioni i pasur i Museum of Islamic Art (MIA) në Doha, Katar. Afati 11-mujor i shfaqjes pasqyron rregullin e Katarit që lejon huadhënie të objekteve kulturore jashtë vendit për më pak se një vit.
Kuratorja e ekspozitës, Kwon Hye-eun, theksoi se qëllimi kryesor ka qenë ta bëjë kulturën islame më të kuptueshme për publikun korean, për të cilin shpesh ajo mbetet e panjohur.
Arkitekturë e frymëzuar nga xhamitë dhe estetika islame
Galeri e ekspozitës është projektuar në formë tetëkëndore, duke evokuar atmosferën e një xhamie. Dekorimet me motive gjeometrike dhe mungesa e figurave njerëzore e shtazore i qëndrojnë besnike traditës islame, ku arti përqendrohet te kaligrafia, drita, simetria dhe zbukurimi ornamental.
Objekti hyrës është një “Folio nga një Kuran Monumental”, i konsideruar një ndër dorëshkrimet më të mëdha të mbijetuara, i porositur nga Timuri, themelues i dinastisë Timurid.
Nga Medina dhe Qabja te qilimat Safavidë
Ndër objektet e spikatura është dorëshkrimi i shek. XIX i Dala’il al-Khayrat, që përmban ilustrime të Medinës dhe Mekës me Qaben.
Një vepër tjetër e veçantë është “Qilimi i Fronit” i shekullit XVII, një kryevepër e epokës Safavide, mbi 250 cm i gjatë, e cila besohet se ka qenë e destinuar për një sallë fronësh.
Tags :
Bota Islame
Islam
Feja Islame
Kuran
Hadith
Qabja
Islami Tradicional
Histori Islame
Profeti Muhammed
Kore E Jugut
Arti Islam
Katar
Doha
Seul