Wednesday 18-12-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Përkufizimi i Islamit!

admin
  • Krijuar : 07-12-24
  • / 104 Lexime

Fjala ‘Islam’, e cila rrjedh nga rrënjët “silm” (paqe) dhe “selamet” (shpëtim), si fjalë bart kuptimet: dorëzim, nënshtrim, shpëtim, të qenit paqësor dhe i panjollë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në përkufizimet që i ka bërë në kohë të ndryshme, më shumë ka qëndruar mbi kuptimin përmbledhës të Islamit dhe ka nxjerrë në pah kuptimin e tij në terminologji. Ja disa nga përshkrimet që Profeti ynë (s.a.s.) i ka bërë Islamit:

Në hadithin e Xhibrilit, i cili transmetohet thuajse në të gjitha burimet themelore të hadithit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i bën një përshkrim përmbledhës Islamit. Kështu na e përcjell këtë hadith Omeri (radijalláhu anh): 

“Isha ulur pranë të Dërguarit të Allahut kur, papritur, u shfaq një burrë me rroba jashtëzakonisht të bardha e me flokë jashtëzakonisht të zinj. Tek ai nuk kishte asnjë shenjë që do të vërtetonte ardhjen e tij nga ndonjë udhëtim i largët. Për më tepër, askush nga mesi ynë nuk e njihte atë. Erdhi, u ul para të Dërguarit të Allahut dhe mbështeti gjunjët e veta tek gjunjët e Tij. Vendosi duart gjithë respekt mbi gjunjë dhe filloi të pyeste: ‘O Muhamed! Ç’është Islami?’ Pejgamberi ynë i nderuar (s.a.s.) e shpjegoi kështu Islamin: ‘Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh gjatë muajit të Ramazanit dhe, nëse ke mundësi, të vizitosh Shtëpinë e Allahut (të kryesh haxhin).’ I huaji miratoi duke thënë: ‘Të vërtetën the!’ (Duke qenë se kjo pikë i bën shumë përshtypje, Omeri i nderuar thotë:) Ne u habitëm kur pamë se ai edhe bënte pyetje, edhe miratonte fjalët që thuheshin. Pastaj pyeti sërish: ‘Çfarë është imani?’ I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj në këtë mënyrë: ‘Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, ditën e fundit dhe kaderin, pra, që e mira dhe e keqja caktohen prej Tij.’ I huaji miratoi përsëri: ‘Të vërtetën the!’ Mandej, pyeti prapë: ‘Çfarë është ihsani?’ I Dërguari i Allahut tha: ‘Ihsani është kryerja e adhurimeve sikur po e sheh Allahun. Por, edhe nëse nuk je në gjendje ta shohësh Atë, dije se Ai po të sheh ty.’ I huaji vazhdoi të pyeste: ‘Kur është çasti i kiametit?’ I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj: ‘Në lidhje me kiametin, i pyeturi nuk di ndonjë gjë më shumë se ai që po pyet.’ I huaji: ‘Cilat janë shenjat e kiametit?’ Profeti ynë i nderuar: ‘Të shohësh gratë robëresha të lindin të zotët e tyre dhe barinjtë këmbëzbathur e gjysmë të zhveshur të deveve teksa garojnë me njëritjetrin në ngritjen e ndërtesave të larta.’ Pas këtyre fjalëve, i huaji doli e iku. Unë qëndrova ca më gjatë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) m’u drejtua mua: ‘ O, Omer! A e di se kush ishte ai person?’ Unë iu përgjigja: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.’ Pas këtyre fjalëve të mia, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu: ‘Ai ishte Xhibrili (alejhis’selam). Erdhi për t’ju mësuar juve fenë.’”

Siç vihet re, në këtë hadith qëndrohet mbi tri çështje të rëndësishme, të cilat janë: gjashtë kushtet e besimit, pesë shtyllat e Islamit dhe vetëdija e ihsanit, e cila nënkupton kryerjen e dy çështjeve të para në kthjelltësinë e vetëdijes dhe të ndriçimit të brendshëm. E në fakt, çdo besimtar i përgjegjshëm duhet të qëndrojë mbi këto çështje dhe, me aq sa mundet, duhet t’i kryejë ato. 

Sipas një transmetimi tjetër, i cili na përcillet nga Talha (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përshkruan Islamin përmbledhtazi: “Një ditë prej ditësh, në mesxhid erdhi një burrë nga banorët e Nexhidit. Flokët i kishte të shprishura. Na vinte tek veshët zëri i tij, por nuk arrinim të kuptonim asgjë nga sa thoshte. Pasi iu afruam mirë, kuptuam se po bënte pyetje në lidhje me Islamin. Pejgamberi ynë (alehjis’salátu ues’selám) sapo kishte mbaruar së thëni ‘Pesë kohët e namazit, natën dhe ditën’ kur burri pyeti prapë: ‘A kam detyrim tjetër përveç këtyre pesë kohëve?’ ‘Jo, vetëm nëse dëshiron të falësh namaz nafile (vullnetar),’ tha i Dërguari i Zotit dhe shtoi: ‘Është edhe agjërimi në muajin e Ramazanit.’ ‘A ka agjërim tjetër përveç tij?’ ‘Jo, por, nëse dëshiron, mund të mbash agjërim nafile.’ Profeti ynë i nderuar dhe bujar i kujtoi atij zekatin. Burri pyeti: ‘A kam detyrim tjetër përpos zekatit?’ ‘Jo, por, në qoftë se jep në mënyrë vullnetare, është tjetër gjë.’ Burri u ngrit të ikte dhe, teksa po largohej, tha: ‘Ashtu siç nuk do t’iu bëj ndonjë gjë shtesë këtyre, po ashtu nuk do të lë mangët asnjërën prej tyre.’ Kurse Profeti ynë (s.a.s.) tha: ‘Nëse e mban fjalën, ka shpëtuar (ose ‘nëse e mban fjalën, do të jetë nga banorët e Xhenetit).’”

Siç shihet, në këtë hadith dhe në hadithe të tjera të ngjashëm me këtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka bërë një përshkrim të përgjithshëm të Islamit duke përmendur çështjet themelore si shehadeti, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi. Kam përshtypjen se, nëse ajetet e Kuranit do të vlerësoheshin e do të shiheshin në tërësi së bashku me këto hadithe të lartpërmendura, do të vërehej një përshkrim i Islamit me të gjitha aspektet e tij, duke filluar me besimin dhe duke mbaruar me moralin. Edhe dijetarët i kanë trajtuar këto çështje veç e veç që shumë kohë më parë dhe temat e lidhura me Islamin i kanë organizuar nën titujt “itikad” (besimi), “ibadet” (adhurimi), “muamelat” (dispozitat e marrëdhënieve shoqërore) dhe “ukubat” (dispozitat e së drejtës penale). Për këtë arsye, kur themi Islam, shohim tërësinë që përqafon çdo pjesë të jetës nga besimi te morali, nga edukata te qeverisja e politika dhe nuk mendojmë asnjë rrugë tjetër përveç bindjes ndaj Muhamedit (s.a.s.), që na i ka bërë të ditura të gjitha këto.

Marre nga Zell.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame