Çështjes së martesës feja i jep rëndësi më shumë se sa mund të merret me mend. Paralel me këtë, edhe juristët islamë që e kanë trajtuar kurorën si një çështje të rëndësishme, kanë shkruar vëllime të tëra rreth saj duke qëndruar posaçërisht mbi të. Juristët e kanë ndarë kurorën në kategoritë detyrim (farz), domosdoshmëri (vaxhib), traditë (sunet), ndalim, shkelje (haram) dhe papëlqyeshmëri(mekruh), si dhe e kanë kushtezuar pak edhe me gjendjen specifike të çdo personi. Kjo do të thotë kështu: Askush nuk mund të martohet si t’i vijë për mbarë; personi i ardhur në një nivel të caktuar, është i detyruar të martohej; madje, ndërsa martesa e disa prej tyre është domosdoshmëri (vaxhib), martesa e disa të tjerëve, për shkak të gjendjes së tyre të veçantë, është e papëlqyeshme, e shëmtuar (mekruh).
Gjithsesi, vetëm duke mbajtur parasysh kuadrin fiziologjik e material të njeriut, kuptohet pa dyshim se ai që martohet, do t’i përftojë shoqërisë një familje ose një fëmijë.
Nga juristët islamë, ata që janë hanefi dhe maliki konsiderohen të afërt me njëri-tjetrin lidhur me këtë çështje; dallimet mes tyre kanë të bëjnë më shumë me hollësitë. Po qe se do ta parashtronim çështjen e martesës sipas përcaktimeve të këtyre juristëve të mëdhenj islamë në vijat kryesore, do të na dilte parasysh një klasifikim i tillë si më poshtë: (shih Vehbe Zuhaili, Enciklopedia e jurisprudencës islame, 9/28-31)
a) Martesa e detyrueshme (farz)
Personi që ka rrezik të bjerë në adulter dhe, përgjithësisht, në situata të ndaluara fetarisht (haram), e ka të detyruar (farz) të martohet nëse ka mundësi ta paguajë garancinë e kurores (mihr) dhe të sigurojë mjetet për mbajtjen e familjes. Sipas disa, duhet të martohet edhe nëse nuk agjëron dot (me qëllim për të mposhtur dëshirat seksuale).
Me fjalë të tjera, martesa për të mos rënë në faj (haram) është parim, dhe martesa duhet të jetë zgjidhja e vetme për dikë që përballet me rrezikun për të rënë në faj. Largimi, ikja nga martesa me rrugë të panatyrshme është kundërshtim i natyrës dhe shpallje lufte ndaj saj, dhe disfata e atij që tenton të luftojë kundër natyrës, ishte e pashmangshme!
b) Martesa e domosdoshme (vaxhib)
Martesa e personit që ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës dhe ta mbajë familjen, ndërkohë që nuk ndodhet para ndonjë rreziku të menjëhershëm për të rënë në faj me përjashtim të një dyshimi, është e domosdoshme. Kjo formë ishte mendim i vetëm disa juristëve, andaj nuk përbën pikëpamje apo opinion juridik të përgjithshëm.
c) Martesa traditë (sunet)
Është traditë (sunet), domethënë normale dhe e mundshme martesa e personit që nuk ka asnjë rrezik apo shqetësim dhe që ka dëshirë dhe është i interesuar të martohet.
d) Martesa e palejueshme (haram)
Është e palejueshme, e ndaluar dhe e dënueshme martesa për personin që do ta shtynte në veprime të fajshme, që do ta detyronte të përdorte rrugë të ndaluara e të dënueshme për ta mbajtur familjen. Një martesë e tillë ishte, me të paktën, e papëlqyeshme dhe e shemtuar (mekruh). Ka juristë që e quajnë të ndaluar ose të papëlqyeshme edhe martesën e një mashkulli me çrregullim mendor-shpirtëror të tillë që do ta keqtrajtonte të shoqen.
e) Martesa e papëlqyeshme (mekruh)
Sipas disa, është e papëlqyeshme edhe martesa e dikujt për të cilin rreziqet për të rënë në gabim, për të përdorur dhunë, nuk janë kategorike, por vetëm paraqiten si mundësi.
f) Martesa e zakonshme (mubah)
Martesa e një personi të matur e serioz, i cili fiton me të drejtë (hallall), për të cilin nuk ekziston mundësia të bjerë në adulter, i cili ka mundësi ta jape garancinë e kurores dhe të mbajë familje, është e lejueshme (menduh) ose e zakonshme, anjanëse (mubah). Një person i tillë, po të dëshirojë mund të martohet, po nuk deshi, nuk martohet.
Imam Shafiu (r.a.) thotë se martesa është, në vetvete, një akt i zakonshëm, domethënë një akt neutral (mubah). Ndërkaq, është e domosdoshme (vaxhib) të shmanget nga fajësia (haram). Në të vërtetë, këtu, edhe shkolla Shafi parashtron një pikëpamje të afërt me konsideratat hanefi. Imam Ahmed bin Hanbeli mbron pikëpamjen se, përballë rrezikut për të rënë në adulter, martesa ishte e detyrueshme për çdo njeri, pavarësisht nëse ai mundet apo jo ta sigurojë jetesën e familjes e ta japë garancinë e kurorës. Në fakt, kur këto pikëpamje shqyrtohen me hollësi, kuptohet se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës.
Me këto çështje specifike, u përpoqëm të tregojmë se ç’lojë synimesh ndjek feja, se martesa nuk është një çështje e thjeshtë dhe e lidhur vetëm me ndjenjat. Po qe se kjo punë e rëndësishme nuk kushtëzohet me parime të shëndosha në mënyrë që të mos u japë shkas zbrazëtive në arsye dhe në ndjenja, fundi i saj i pashmangshëm do të jenë dyert e gjykatave dhe vargjet e grave të veja e të pazot, të fëmijëve të mbetur në mes të udhës! Duke ngritur pritshmëri të larta për herë të parë para këtyre, feja e pengon martesën, përfundimi i së cilës është zvarritje në këto lloj situatash negative e të rënda, duke e kategorizuar si haram (e ndaluar), mekruh (e papëlqyeshme, e shemtuar); në një çështje ku mbisundon ndjenja, feja i jep prioritet rrugës së arsyes, logjikës dhe gjykimit.
Specifika që ne deshëm të theksonim këtu është që martesa është një institucion shumë i rëndësishëm, që me të formohet dhe ngrihet familja si elementi më i rëndësishëm i shoqërisë. Nisur nga kjo, kur mendohet e flitet për martesën, nuk duhet menduar e folur për të si për një situatë mediokre të lidhur vetëm me sensualitetin e individit, por si një çështje fetare, kombëtare dhe gjithnjerëzore që ka lidhje me lumturinë e një shoqërie a të një grupi shoqëror, madje të gjithë një kombi. Sa për specifikën e ndjesive dhe egoiste të martesës, kjo është vetëm një “parapagesë dhe bakshish” i Zotit për njeriun për të siguruar arritjen e “synimit të madh” përfundimtar. Në këtë kuptim mund të shprehemi kështu, kjo duhet vlerësuar si një “paradhënie” dhe duhet parë si një “shpërblim në dorë” për shërbimin e rëndësishëm që i sjell individi vazhdimësisë së brezit njerëzor me martesën dhe rritjes e përgatitjes së individëve me karakter të lartë, të cilët bëhen mandej garanci e vitalitetit të një kombi!
Ç’është e vërteta, mund të thuhet se feja islame i jep mjaft rëndësi kësaj çështjeje. Në përgatitjen e martesës çdo gjë do të mendohet me hollësi, do të bëhen një mijë e një llogari dhe do të sillet me një kujdes që nuk do t’i linte hapësirë asnjë gabimi në mënyrë që foleja familjare e ngritur të mos prodhojë shkaqe që do të çonin në shembjen e saj. / pjesë e shkëputur nga libri “ Nga fara tek lisi” – zell.al