Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

“Pse nuk e shohim Zotin?” Si duhet t’i përgjigjemi kësaj?

admin
  • Krijuar : 26-08-24
  • / 279 Lexime

Shikimi është çështje përfshirjeje dimensionale, pas së cilës vjen edhe përfshirja konceptuale. Për shembull, në trupin e njeriut ka mikrobe; madje, vetëm në rrënjën e një dhëmbi gjenden, ndoshta, disa milion syresh. Me mundësitë dhe mjetet që zotërojnë, mikrobet përpiqen ta gërryejnë e ta shkatërrojnë dhëmbin e njeriut. Ndërkaq, njeriu as e dëgjon zhurmën e tyre, as dhe ndoshta di gjë për ekzistencën e tyre! As bakteriet nuk munden ta shohin njeriun në tërësi dhe, sidomos, kurrsesi nuk munden ta përfshijnë e ta konceptojnë atë (në se do të kenë mundësi për ta bërë një gjë të tillë – përkth.). Në fakt, që të mund ta shohin njeriun duke e përfshirë plotësisht atë, duhet të ndodhen jashtë njeriut dhe në një pozicion krejtësisht të pavarur prej tij si dhe, në të njëjtën kohë, duhet të kenë një sy si teleskop. Kjo do të thotë se fakti që nuk munden ta përfshijnë njeriun, u bëhet pengesë për ta parë atë. Bakteriet në fjalë shohin vetëm atë gjë para së cilës ndodhen…

Një shembull të ngjashëm me këtë që dhamë nga mikrobota, le të japim, tani, nga makrobota.

Le të mendojmë se po rrimë te objektivi i një teleskopi gjigand, i cili tregon një largësi katër miliard vite dritë. Prapëseprapë, informacioni që do të përftonim në këtë rast mbi universet dhe hapësirat, do të ishte sa një pikë uji në oqean! Ndoshta, lidhur me atë fushë që arrijmë të shohim me atë teleskop, mund të përftojmë të dhëna të tipit të hipotezave. Dhe, duke arritur, me anë të këtyre hipotezave, në hipoteza të reja, përpiqemi të sigurojmë të dhëna të reja.

Edhe këtu ne nuk do të mund të shohim dhe nuk do të mund të njohim as administrimin e gjithësisë, as trajtën e saj të përgjithshme, as dhe përmbajtjen dhe cilësinë e saj. Sepse, ashtu siç ndodh në mikrobotë, nuk arrijmë të sigurojmë një përfshirje tërësore dimensionale dhe konceptuale të saj.

Shihet se, ashtu siç mikroqeniet janë të paafta për të na përfshirë ne (si dhe ne ato me anë të mikroskopit) dimensionalisht, ashtu edhe ne jemi të paaftë për t’i përfshirë makroqeniet dimensionalisht, për rrjedhojë edhe konceptualisht.

Dhe tani le ta mendojmë Zotin pas kësaj. Profeti ynë urdhëron: Në raport me katedrën e Zotit, të gjitha universet – domethënë universet me shtrirje një trilion herë një trilion vite dritë – janë sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Edhe katedra, në raport me rezidencën e Tij, është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë! Ç’madhësi tronditëse, kjo, e dalë nga raportet mes katedrës dhe rezidencës hyjnore të trajtuara me anë të kritereve dimensionale! Nga kjo rezidencë dhe katedër i bën efektivë vullnetin dhe urdhrat e veta Krijuesi i Lartë dhe e ve në zbatim vendimin e vet!

Dhe tani, ashtu siç është diçka absurde pretendimi juaj që keni një identitet mikroskopik në raport me gjithësinë, për t’i konceptuar të gjitha universet dhe hapësirat, është po kaq absurde edhe përpjekja juaj për ta konceptuar Rezidencën e Madhe, ndaj së cilës të gjitha universet janë diçka mikroskopike. Atëherë, si mundet të përfshihet dimensionalisht e konceptualisht Zoti vetë? Prandaj në Kur’an urdhërohet: “Shikimet nuk mund ta përfshijnë Atë, kurse Ai i përfshin të gjitha shikimet…” (Kur’ani, En’am:103)

Po, sytë dhe shikimet nuk mund ta njohin Atë, kurse Ai i sheh, i përfshin dhe i njeh të gjitha sytë dhe shikimet. Pranimi i këtij aspekti në këtë formë është kusht për ndriçimin e çështjes.

Le ta shohim çështjen në një tjetër aspekt. Nuri ose drita e Zotit është perdeja e Tij. Kurse ne nuk mundemi ta përfshijmë as dritën e Tij! Kur Profeti u kthye nga miraxhi, pasuesit e pyetën: A e pe Zotin? Dhe ai (sipas rrëfimit të Ebu Dherit) u përgjegj: Ai është Nur, si mund ta shoh Atë? Kurse në një rast tjetër është përgjigjur: Unë pashë një nur! Mirëpo nuri, drita, është krijesë, kurse Zoti është Drita e dritave, është Burimi i dritave! Eshtë Zoti që i jep trajtë dritës, që e portretizon atë. Drita nuk është Zoti vetë. Eshtë krijesa e Tij. Profeti e ndriçon më tej këtë çështje në një porosi tjetër: Mbulesa (perdeja) e Allahut është nur. Me fjalë të tjera, kërkon të na thotë se midis Zotit dhe nesh ka një nur, një dritë. Ne jemi të rrethuar me dritë. Atëherë, këtu ka një thellësi tjetër! Jemi të rrethuar po themi. Por me atributet e Tij, jo me tjetër. Kurse atributet janë as tjetër, as e njëjta…

Po të hyhet në çështjet që kanë të bëjnë me hyjnitetin, subjekti në fjalë thellohet edhe më tepër, rëndohet dhe bëhet i papërballueshëm.

Si përfundim, mund të themi se Zoti nuk shihet. Mbulesa e tij është prej drite. Ju mund të shihni ç’mund të shihni, vetëm dritë mund të shihni!

Për shembull, kur të përpiqeni të kapërceni enigmën e nefsit (egos) urdhërues, do të shihni një dritë të kuqe; kur të vini tek nefsi ndërgjegjevrasës,blu; kur të arrini te nefsi ndërgjegjeqetësues, do të shihni një nur, një dritë jeshile. Pas kësaj, do të arrini në një nivel të tillë ku nuk do të mundni ta dalloni dhe përcaktoni ngjyrën e nurit, dritës që do të shihni atje. Këto janë vëzhgime që u përkasin të urtëve, shenjtorëve, njerëzve të lartësuar shpirtërisht dhe realizohen vetëm me anë të përvojave të ndërgjegjes.

U përpoqa ta parashtroj e ta trajtoj subjektin tonë me këto ngjyrat sa për të dhënë një mendim. Edhe ajo çka do të shihni ju, do të jetë hija e hijes së nurit, dritës së Zotit! Prandaj, nisur nga kjo, prapë nuk do të quhet se keni parë gjë!

Dhe tani le ta trajtojmë këtë subjekt në një aspekt të tretë. Ibrahim Hakiu thotë: Zoti im nuk ka shembull, nuk ka të ngjashëm a të kundërt. S’ka të bëjë me trajtën, është i shenjtë ai Zot i Lartë!

Ashtu është, Zoti ynë nuk ka të kundërt. Dhe kjo është një specifikë shumë e rëndësishme. Që diçka të mund të shihet, duhet të ketë të kundërtën e saj. Ti e sheh dritën, se përballë saj ndodhet errësira. Po kështu, ti bën fjalë për gjatësi të ndryshme: ky send është dy metra, tjetri, tre, etj. Pra, gjatësia e sendeve del në pah dhe konkretizohet si nga krahasimi me njësinë e masës së saj që është e ngjashme, ashtu edhe me vlera që janë të ndryshme ose të kundërta me njëra-tjetrën.

Kurse Zoti nuk ka as të ngjashëm, as të kundërt me vetveten si drita me errësirën ose si përmasat që të mund të shihet e të konkretizohet.

Le ta trajtojmë këtë çështje edhe nga pikëpamja fizike. Vallë, sa përqind të hapësirave dhe objekteve që i ekspozohen, mund të shohë njeriu? A mund të jepni ju një shifër të gjërave që shihni? Le ta mendojmë se një miliard herë një miliard nga sendet që mund të shihen, i janë ofruar shikimit tonë në këtë ekspozitën e gjithësisë ku jetojmë dhe na është thënë: Urdhëroni e shihni, merrni mësim dhe duartrokiteni Krijuesin! Mirëpo ne mund të shohim vetëm pesë ndër një milion të gjërave që na janë paraqitur, kurse diferencën as që e njohim, madje! Po, p.sh., ne shohim vetëm valë të caktuara drite dhe vetëm gjatësi vale të caktuara. Atëherë, vini re me kujdes: njeriu që pyet Pse nuk e shoh Zotin, kërkon ta fusë Zotin, i cili mban në dorë të gjitha universet, brenda atij pesëpërmilionëshit që sheh vetë nga gjithësia e vockël ku gjendet vetë! Ah, ç’mendim i mjerë!

Sigurisht, Atë do ta shohë ai që heq mijra dhimbje koke përballë librit të gjithësisë me përmbajtjen dhe çështjet e tij të komplikuara. Atë do ta shihnin profeti i madh, Hz. Musai, dhe zotëria i profetëve, Hz. Muhammedi (a.s.), sigurisht, sipas situatës vetiake të tyre. Edhe të tjerët, sipas hapit të tyre. Dhe në këtë mes ka një nxitje të madhe për të menduar, për ta vrarë mendjen. Ata që duan të jenë zotërinj e mbretër në jetën e përtejme, në këtë botë do të përpiqen t’i ripërtërijnë vazhdimisht strukturat e kokës e të zemrës; më drejt, për ta parë dhe dëgjuar Zotin atje ashtu siç u ka hije njerëzve të lartësuar mendërisht e shpirtërisht, këtu duhet t’i mbajnë gjallë e t’i venë në punë mendjen dhe shpirtin, duhet ta mbajnë gjallë devocionin e tyre, nuk duhet të shkojnë atje me një kovë ujë në dorë, por duke bartur një oqean… Natyrisht, sipas kapaciteteve. Ibrahim Hakiu thotë kështu duke interpretuar një hadith:

“S’më nxënë – tha Zoti – tokë e qiej!”
Në minierën e ndiesive i fshehur u zbulua…

Ç’bujar dhe bamirës është ajo Qenie e Lartë, ndaj madhështisë së të cilit universet s’janë as sa një molekulë, që e shfaq veten në zemrën e çdo besimtari duke u bërë pretekst për pasurimin ndiesor të tij!…

Të drejtën e çdo gjëje Ai e di!

Marre nga Zell.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame